RREGULLORE

RREGULLORE E e FEDERATËS SHQIPTARE të ALPINIZMIT dhe TURIZMIT MALOR

Hyrje

Rregullorja e FSHALTM përditësohet nga Kryesia e Federatës sa herë që lind nevoja për një gjë të këtillë nën diktimin e përvojave të veprimtarive të zhvilluara (veprimtari në natyrë ose veprimtari të një karakteri tjetër). Kjo rregullore do të përmbajë spjegime të gjykuara si të nevojshme për mbarëvajtjen e veprimtarive që zhvillohen nga kjo Federatë.

FSHALTM organizon veprimtari alpinistike, turistike dhe kacavarje sportive (në mure të kacavarjes të ndërtuara në palestra të mbyllura ose të hapura si dhe në shkëmbej të shënuar).

Veprimtaritë që organizon kjo Federatë janë veprimtari të llojit që, me raste, janë me rrezik për jetën e pjesëmarrësit. Është detyrë e çdo organizimi alpino-turistik që të vetëditësojë anëtarët e tij për këtë rrezik. Gjithashtu çdo organizim duhet të edukojë, dhe kërkojë nga anëtarët e tij që të kryejnë kontrolle mjeksore për aftësitë fizike dhe kardio-vaskulare për pjesëmarrje në këto veprimtari si dhe të gjejë mënyra siguracioni të përshtatëshme për anëtarët për sa kohë që kjo Federatë nuk ka mundësi dhe mjete financiare për një shërbim të tillë.

FSHALTM në synimet afatgjata do përpiqet që të ndihmojë anëtarët e saj në këto drejtime kryesore:

  • Anëtari të ketë siguracion shëndetësor me pagesë të thjeshtuar gjatë ditëve të veprimtarisë në natyrë;
  • Anatari të ketë zbritje në kuotat e pagesave për fjetje në bujtina dhe terene të destinuara për fushim (ngritje kampingu);
  • Anëtari të ketë zbritje në pagesat e hyrjeve në parqet kombëtare dhe jo kombëtare;
  • Anëtarit t’i sigurohet literaturë që lidhet me rritjen e njohurive për veprimari në natyrë si dhe mundësi informimi lidhur me veprimtari që janë zhvilluar ose që do të zhvillohen nga shoqata apo klube që kanë apo kanë patur synime të ngjashme me ato të kësaj Federate.

 

Organizimet alpino-turistike

Që një organizim alpino-turistik të jetë anëtar i FSHALTM duhet që të plotësojë këto kushte:

  • Të jetë organizim i llojit të shoqatave me status të organizatave jo fitimprurëse.
  • Të jetë i rregjistruar në gjykatën e rrethit përkatës dhe një kopje të kësaj dëshmije të ja kalojë Federatës.
  • Të paguajë kuotizacionin vjetor sipas kërkesave të Federatës.
  • Të njohë Statutin dhe Rregulloren e FSHALTM.

Gjithashtu: organizimi alpino-turistik duhet të ketë minimalisht dhe domosdoshmërisht: a. një adresë elektronike për komunikimet me Federatën si dhe b. një numur të telefonisë së lëvizëshme për komunikime me Federatën.

Pjesëmarrësit e çdo organizimi alpino-turistik në veprimtari kampojnë/fushojnë  sipas porosive të shtabit dhe dallohen nga njeri-tjetri me anë të flamurit (logos) që kanë. Flamuri (logoja) vendoset në një pikë të dukëshme të kampimit/fushimit të çdo organizimi.

Çdo organizim alpino-turistik në veprimtaritë e kësaj Federate, për pjesëmarrje, duhet të plotësojë këto kushte:

  • Të ketë mbyllur procesin e licensimit 30 ditë para veprimtarisë sipas udhëzimeve të dërguara nga Sekretari i saj.
  • Të paraqesë listën e pjesëmarrësve pranë shtabit të veprimtarisë.
  • Të paraqesë pranë shtabit planin e synimeve që do të ketë në veprimtari.
  • Të ketë të pajisur çdo individ në veprimtari me bazën material që kërkon realizimi i synimeve që ka.

Çdo organizim alpino-turistik në veprimtaritë e kësaj Federate ka një përgjegjës (pozicioni i tij në organizim mund të jetë trajner, komandant, etj.) i cili do të jetë komunikuesi me shtabin (komandantin) e veprimtarisë.

Veprimtaritë alpino-turistike

Veprimtaritë që organizon FSHALTM zhvillohen nën drejtimin e një shtabi të cilin e cakton Kryesia e Federatës. Shtabi është autoriteti i Federatës në veprimtari.

Jeta e kampimeve/fushimeve zhvillohet sipas një orari veprimesh. Ky orar përmban kohën e zgjimit, atë të kryerjes së veprimtarisë, të pushimit, të heshtjes. Orari i veprimeve përcaktohet para grumbullimit të organizimeve alpino-turistike ose menjëherë pas grumbullimit të tyre. Përgjegjësit e çdo organizimi janë të detyruar të njihen pranë shtabit me këtë orar dhe të ja bëjnë me dije për zbatim ekipeve të tyre. Shtabi i veprimtarisë është autoriteti llogarikërkues ndaj çdo përgjegjësi ekipi/organizimi pjesëmarrës për zbatimin e këtij orari veprimesh.

FSHALTM punon mbi bazën e një plani vjetor të veprimtarive.  Plani vjetor tentohet të miratohet në takimin vjetor (Asambleja) për çdo vit në muajin Dhjetor për vitin në vazhdim.  Planit vjetor të veprimtarive i bashkëngjiten nevojat financiare dhe materiale për realizimin e tij.  Federata mer mendimet e anëtarëve të saj për ndërtimin e planit vjetor të veprimtarive.

Të gjitha veprimtaritë e FSHALTM zhvillohen nën drejtimin e Kryesisë së  Federatës (KF) në bashkëpunim me Komisionin Teknik (KT) të saj (në rastet kur ky komision është ngritur dhe funksionon).  KT do të përbëhet nga tre anëtarë nga më me përvojë që ka Federata. Ky komision ngrihet, formësohet dhe ndryshohet për çdo vit nga Kryesia.

Çdo veprimtari do të zhvillohet në datat e përcaktuara nga Kryesia sipas një kalendari të miratuar.  Nëse për arësye të ndryshme veprimtaria nuk zhvillohet, ose shtyhet për një datë tjetër, të drejtën e rivendosjes së datës e ka Kryesia.

FSHALTM përgatit individë për drejtimin e veprimtarive që organizon.  Titujt “Drejtues i Veprimtarive Bjeshkuese” dhe “Drejtues i Veprimtarive Alpinistike” (ose tituj të tjerë që çertifikohen për drejtim veprimtarishë apo udhërrëfim) jepen mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga Federata. Çertifikatat e kësaj natyre të lëshuara nga anëtarë të licensuar të UIAA apo BMU janë të pranueshme.

Çështjet organizative dhe ecuria e çdo veprimtarie që organizon FSHALTM me raste përgatiten nga drejtuesi i veprimtarisë, i cili caktohet nga Kryesia.

Në veprimtaritë e FSHALTM dhe në ato me karakter ndërkombëtar ku merr pjesë kjo Federatë merret pjesë me vullnet të lirë. Kriteret mjeksore dhe fizike që caktohen për këto raste për pjesëmarrje janë të domosdoshme.

Kur veprimtaria kryhet me përfaqësim ekipor Shqiptar, Kryesia dhe Komisioni Teknik caktojnë trajnerin e ekipit. Trajneri ka fuqi të plota për të përzgjedhur ekipin mbi bazën e normave teknike, fizike, shëndetësore etj., të cilat i gjykon ai. Trajneri mund të bëhet anëtar i ekipt nëse edhe ai plotëson kërkesat fiziko-mjeksore për pjesëmarrje. Ekipi Shqiptar cakton një person me cilësimë e komandantit ose udhëheqësit ose përgjegjësit. Titulli ekzekutiv do jetë një nga titujt si ma sipër bazuar në nevojën e përfaqësimit.

Baza materiale për çdo veprimtari që organizohet nga FSHALTM nuk merret përsipër që të sigurohet nga kjo Federatë. Ky rregull mund të ndryshojë në një kohë tjetër.

Në veprimtari alpinistike anëtarët duhet të jenë të moshës 17 vjeç e lart. Nën këtë moshë pjesëmarrësi duhet të jetë gjatë gjithë veprimtarisë bashkë më të paktën një prind ose kujdestar.

Pjesëmarrja në veprimtaritë Turistike të kësaj Federate nuk ka kufizime në moshë por ka përcaktime në program.

Në veprimtaritë e organizuara nga Federata përgjegjësi i veprimtarisë (komandanti) i ndan pjesëmarrësit në grupe me 3 deri 12 anëtarë. Çdo grup duhet të zgjedhë një përgjegjës (drjtuesi i grupit).

Përgjegjësi i veprimtarisë (komandanti) caktohet nga KT apo Kryesia e FSHALTM.  Ai është autoritet në drejtim të organizimit dhe drejtimit të veprimtarisë. Kur gjatë veprimtarisë ka raste indisiplinimi dhe thyerje të rregullores nga një pjesëmarrës, përgjegjësi i veprimtarisë ka të drejtën e pezullimit të tij nga veprimtaria si dhe të drejtën që t’i propozojë Kryesisë për masa të tjera disiplinore.

Komandanti i veprimtarisë si dhe ai i grupit e ka për detyrë t’i verifikojë pajimet e çdo individi para nisjes për veprimtari.

Nenet e kësaj Rregullore janë në fuqi për çdo veprimtari që organizon ose merr pjesë FSHALTM.

Organizimet alpino-turistike, anëtare të FSHALTM, nxiten që të organizojnë veprimtari të pavarura në zona të ndryshme të vendit tonë, si dhe jashtë vendit tonë, të ndërmarra mbi bazë parapëlqimesh, që lidhem me interesa të argëtimeve në natyrë si dhe/apo parapëlqimeve shoqërore.

Veprimtaritë me karakter Turistik apo Alpinistik zhvillohen në natyrë (por edhe palestra) në ato zona ku ngjallet interes dhe dëshirë për anëtarët e FSHALTM për qëllime sportive, ripërtëritjeje dhe/apo argëtuese; për të njohur vendin nëpërmjet të ushtruarit fizik, soditjes, si dhe jetës sociale në natyrë. Veprimtaria mund të zhvillohet në çdo stinë të vitit.

Veprimtaritë e sezonit dimëror konsiderohen veprimtaritë që organizohen në periudhën e dimrit astronomik (22 Dhjetor, 21 Mars).

Përgjegjësi i veprimtarisë së organizuar nga FSHALTM, apo i veprimtarisë ku merr pjesë kjo Federatë (komandanti) duhet të jetë anëtar i saj.

– Ai mban përgjegjësi për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë.

– Ai duhet të mbajë lidhje telefonike apo elektronike me Kryesinë.

– Ai duhet të vërë në dijeni me kohë anëtarët e grupit për programin e veprimtarisë dhe t’i njohë ata me rregullat e kampingut dhe të jetës kolektive për rastin.

– Me përfundimin e veprimtarisë i kërkohet, si atij edhe pjesëmarrësve në veprimtari, që të shkruajnë dhe bëjnë me dije antarësinë, si edhe mediat e shkruara dhe vizuale, për kënaqësitë dhe mangësitë e veprimtarisë.

Pajimet për veprimtari alpinistike dhe turistike

Pjesëmarrësit në veprimtaritë alpinistike ose turistike duhet të jenë të pajisur me gjithëshka që siguron mbarëvajtjen e veprimtarisë.

  1. Individi ose ekipi duhet të kenë të llogaritura ushqimet dhe lëngjet e nevojshme për kohëzgjatjen e veprimtarisë.
  2. Individi ose ekipi duhet të jenë të pajisur me veshje të përshtatëshme për veprimtarinë që do të ndërmarrin sipas standarteve që rekomandon literatura.
  3. Individi ose ekipi, kur e kërkon lloji i veprimtarisë,  duhet të kenë bazën materiale të përshtatëshme për kalimin e natës në natyrë.
  4. Alpinistët duhet të jenë të pajisur me materialin teknik të domosdoshëm për llojin e itenerarit që do të ndërmarrin. Në sezonin dimëror, këpuca, kthetrat, kambalet, kazma, litari (20 ml lëvizje për çdo alpinist të lidhur), kofshorja dhe karabinat janë minimume të domosdoshme.
  5. Elektriku i dorës/kokës dhe radiot “ec e fol” janë të nevojshme si për veprimtaritë alpinistike edhe për ato bjeshkuese/turistike.

 

Siguria dhe ndihma në rast nevoje

Shtabi i veprimtarisë nëse ka më shumë se 12 pjesëmarrës në veprimtari krijon toga. Një togë ka deri 12 vetë. Nga shtabi i veprimtarisë togës i caktohet një komandant.

Toga organizohet në grupe (litarë) ngjitjesh. Toga ka 4 deri 6 litarë (grupe) ngjitjesh. Çdo grup (litar) ngjitje ka një përgjegjës.

Drejtuesi i veprimtarisë, për qëllime sigurie, edhe ndihme nëse lind nevoja, i organizon grupet e ngjitjes të ndara nga njëri tjetri sipas itenerarëve dhe/ose të ndarë bazuar në kohën e nisjes

Çdo grup para nisjes për ngjitje i bën të njohur komandantit të veprimtarisë itenerarin e ngjitjes dhe të kthimit. Çdo grup para nisjes për ngjitje duhet të mësojë itenerarin e ngjitjes dhe të kthimit të grupit më të afërt me të (grupi fqinjë).

Në një litar nuk mund të lidhen më shumë se tre vetë kur ngjitja bëhet nëpër itenerarë të alternuar me kacavarje.

Në një litar nuk mund të lidhen më shumë se katër vetë kur itenerari kalon nëpër reliev të mbuluar nga bora dhe/ose akulli.

Në të gjitha rastet e përdorimit të litarit distanca me litar e ngjitësve duhet të jetë jo më pak se 20 metra.

Organizimeve alpino-turistike u sygjerohet që të pajisen me radio marrëse-dhënëse që mbulojnë distanca rreth 10-15 km.

Në të njëjtin itenerar shkëmbor nuk mund të futet për ngjitje një grup (litar) pa e përfunduar ngjitjen litari (grupi) që është në ngjitje e sipër.

Në të njejtin itenerar të mbuluar nga bora dhe/ose akulli nuk mund te futet një togë e dytë pa u krijuar (dhe ruajtur) distanca 500 metra midis tyre.

Është në etikën alpinistike dhe në etikën e veprimtarive në natyrë dhënia e ndihmës një individi ose një grupi kur këta të fundit e kanë të nevojshme. Me dhënie ndihme kuptojmë: a. njoftimin sa ma parë të qendrës më të afërt për avarinë/aksidentin e ndodhur; b. dhënien e ndihmës direkte grupit/individit të aksidentuar.

Individi në veprimtari

Anëtari i çdo organizimi pjesëmarrës në veprimtari duhet të ketë disiplinën që kërkon veprimtaria, duhet të respektojë dhe t’i bindet komandantit të veprimtarisë; duhet të shprehë shpirtin e sakrificës për shokët si dhe ndjenjën e bashkësisë dhe të barazisë mes anëtarëve të grupit dhe ekipit.

Detyrat që ka pjesëmarrësi në veprimtari: i) të bëjë jetë kolektive me anëtarët e organizatës së tij  në çdo kohë të pjesëmarrjes së tij në veprimtari; ii) të respektojë rregulloren dhe programin e veprimtarisë, përjashto rastet kur është i/e sëmurë; iii) të zbatojë udhëzimet e përgjegjësit të grupit; iv) të zbatojë normat e mirësjelljes dhe të edukatës së shëndoshë gjatë veprimtarisë; v) të jetë i pajisur me ushqime e pajime n’atë masë që të mos bëhet pengesë e grupit për realizimin e synimeve të veprimtarisë; vi) të respektojë etikën e komunikimit me pjesëmarrësit në veprimtari si dhe me popullsinë lokale.

Pjesëmarrësi në veprimtari duhet:

– Të ketë kryer përgatitjet e duhura fizike dhe teknike si dhe të plotësojë përpara veprimtarisë normat e kërkuara.

– Të njohë dhe të zbatojë rregullat teknike të marshimeve dhe të ngjitjeve si dhe programin e veprimtarisë.

– Të kryejë veprimtari dhe jetë kolektive me anëtarët e grupit.

– Të përmbajë vehten nga veprime dhe/ose veprimtari që nuk janë parashikuar në programin e veprimtarisë.

– Nëse gjatë veprimtarisë (veprimtari në natyrë ose veprimtari të një karakteri tjetër) sjelljet e individit, ose të një grupi individësh, vlerësohen si të llojit që janë jashtë etikës sportive ose qytetare, atëherë nga drejtuesi/komandanti i veprimtarisë dhe nga Kryesia e kësaj Federate egzekutohet masa disiplinore me përjashtim nga anëtarësia.

Vlerësimet

  1. Vlerësimet e itenerarëve.

 

Kjo Federatë do të vlerësojë gradën (shkallën) e vështirësisë së itenerarëve alpinistikë bazuar në sistemin egzistues të përpunuar në vitin 1984.

Sistemi i klasifikimit të itenerarëve bën dallimin midis itenerarëve të realizuar me kacavarje natyrale (të lira) dhe kacavarje artificiale. Kacavarja artificiale nuk presupozon që alpinisti apo kacavarësi kalon një segment me vështirësi teknike të spikatura, por do të thotë se kryhet një lloj kacavarje e veçantë.

Dallimi midis kacavarjes së lirë (natyrale) dhe asaj artificiale qëndron në faktin se ndërsa në të parën pajime të tilla si plenga (kunji), pyka, etj., përdoren si mjete sigurimi, në kacavarjen artificiale pajimet përdoren edhe si pika kapje apo mbështetje

Shënimi i shkallës (gradës) së vështirësisë në kacavarjen natyrale bëhet me numura romakë (I, II, III, IV, V, VI) duke shtuar sipas rastit shënjën minus ose gërmën A, apo shënjën plus apo gërmën B. Pra një ngjitje alpinistike e shkallës së pestë të vështirësisë mund të jetë V- apo VA që ka kuptimin e shkallës së pestë e thjeshtë (brënda kësaj shkalle), e V që ka kuptimin e pestë normale dhe V+ ose VB që ka kuptimin e pestë e vështirë (brënda kësaj shkalle).

Kacavarja artificiale shënohet me gërmën A dhe sipas vështirësisë në rritje i bashkëngjiten numurat nga 0 në 4 (A0, A1, A2, A3, A4). Nëse kacavarja artificiale është realizuaar duke përdorur plenga zgjeruese atëherë për ta dalluar këtë fakt i shtohet gërma e (A0e, A3e, etj.)

Shkallët (gradët) e vështirësisë së itenerarit përcaktohen në këtë mënyrë:

Shkalla e parë (I) vlerëson itenerarët ku ngjitësi i kalon segmentet e relievit pa vramendje për përdorim teknikash. Hera-herës mund të përdorë duart për të siguruar ekujlibër të qëndrueshëm të trupit në itenerar. Shkalla (grada) e parë e ngjitjes është forma më e lehtë e ngjitjes.

Shkalla e dytë (II) vlerëson një ngjitje ku duhen përdorur tre pika mbështetëse-kapëse. Përdorimi i litarit për sigurim në segmente të caktuara të itenerarit dhe nevoja e anëtarëve të grupit që ngjitet për të lëvizur sipas një rradhe (jo njëherësh) është gjë e natyrëshme.

Shkalla e tretë vlerëson itenerarin ku përdorimi i plengave (kunjave) bëhet i domosdoshëm për sigurimin e shoku-shokut midis anëtarëve të grupit të ngjitësve.  Njohja dhe zbatimi i teknikave të kalimit të relievit është i domosdoshëm. Stërvitja paraprake në drejtim të teknikave të kacavarjes dhe manovrimeve me litar janë të nevojshme.

Shkalla e katërt vlerëson itenerarët me vështirësi të theksuar. Ngjitësit duhet të kenë njohuri të mira rreth pajimeve dhe përdorimit të tyre, të kenë kryer stërvitje të rregullta dhe të kenë grumbulluar përvojë ngjitjesh në itenerarë të shkallës (gradës) së tretë të vështirësisë.

Shkalla e pestë vlerëson itenerarët me vështirësi të theksuara të relievit. Këto itenerarë që të realizohen kërkojnë ngjitës me përvojë, me aftësi shumë të mira fizike dhe me partnerë në ngjitje që janë të ngjashëm në përvojë, teknikë dhe përgatitje fizike.

Shkalla (grada) e gjashtë vlerëson një itenerar me vështirësi të mëdha për tu kaluar. Përvoja, forca fizike, njohja dhe përvoja e teknikave të kalimit të pllakave, dyfaqëshave, të dalave (sqetave) si dhe partner(ë) të barabartë në litarin e ngjitjes janë kërkesa të domosdoshme për realizimin e kacavarjes.

Kacavarja artificiale nënkupton përdorimin e pajimeve si pika kapje ose mbështetje. Të tilla pajime janë plenga (kunji), pyka, shkalla, capani e të tjera pajime që sa vinë e shtohen si rezultat i zhvillimit të teknologjisë. Sasia e përdorimit të këtyre pajimeve i lë fushë përcaktimi vlerësimit me pesë shkallë: A0, A1, A2, A3, A4, si dhe po kaq të tjerave kur shtohet në sejcilin rast përdorimi i plengës zgjeruese (A0e, A1e, A2e, …).

Kur përshkruhet një itenerar i realizuar, për çdo segment të tij (si rregull për çdo litar pune) bëhet përshkrimi për llojin e relievit të kaluar dhe shkalla e vështirësisë për segmentet e tij. Një gjë e tillë realizohet duke përdorur si simbolet ndërkombëtare ashtu edhe përshkrimet me fjalë. Hedhja e këtij informacioni në fotografinë e itenerarit ka vlera të veçanta për ta përshkruar itenerarin si dhe për të ndihmuar të tjerët për ta ndëmarrë dhe realizuar atë.

  1. Vlerësimet e organizimeve alpino-turistike dhe individëve anëtarë të FSHALTM

 

FSHALTM do të vlerësojë arritjet e organizimeve alpino-turistike si dhe të individëve që përfaqësojnë këto organizime në bazë të itenerarëve që ata realizojnë. Gjithashtu FSHALTM do të vlerësojë kontributet e individëve dhe organizimeve në rastet që do i gjykojë si të vlefshme.

Arritjet sportive do të vlerësohen kur dokumentohen me foto dhe/ose filmim.

Arritjet individuale do të vlerësohen kur dokumentohen me foto dhe/ose filmim dhe kur anëtari i FSHALTM është udhëheqës në veprimtari (udhëheqës litari, udhëheqës grupi, trajner, vullnetar).

Arritjet sportive të organizimeve alpino-turisstike ose të individëve vlerësohen kur ato realizohen nga grupi (dy a më shumë pjesëtarë) i anëtarëve të FSHALTM.

Vlerësimet janë temë e opinionit të anëtaarëve të FSHALTM dhe vendim i Kryesisë së Federatës.

Sygjerim: Kujtesë mbi sigurimin teknik të anëtarëve të FSHALTM

-Mos ndërmerrni udhëtim i vetëm, pa patur përvojën e malit dhe pa patur një shok me përvojë.

– Jini të pajisur mirë me materialin e duhur teknik për veprimtarinë.

-Para nisjes njoftoni përgjegjësin e veprimtarisë (shtabin) për qëllimin dhe itenerarin që do të ndiqni.

– Koha e keqe është gjithmonë e rrezikëshme gjaatë veprimtarive në natyrë.

– Mali është i rrezikshëm për veprimtari në ditët kur bie dëborë disa ditë rradhazi.

– Hani shpesh herë gjatë ngjitjeve a marshimeve dhe pini vazhdimisht ujë e lëngje; mos ja lejoni     vehtes të shkoni etje dhe uri dhe as në rraskapitje fizike. Mos harroni të merni ujë dhe ushqim tek lini kampin.

– Kuptimi i vështirësisë nuk duhet të ngatërrohet me atë të rrezikut.

– Nisja herët dhe kthimi shpejt është baraz me siguri.

– Gjatë marshimit në zonat e vështira dhe me rrezik mos kaloni ngadalë nëpër to, por, pasi ta keni studiuar atë më parë, kaloni me përqëndrim të lartë dhe shpejt.

– Kampet i ngrini në vende të sigurta si dhe ku ka ujë dhe kushte për të pushuar.

Përgjegjesi i veprimtarisë dhe, në mungesë të tij, drejtuesi i çdo grupi pjesëmarrësish:

– Duhet të kontrollojë para nisjes në veprimtarinë e ditës pajimet e grupit (materjalin teknik, ushqimet, etj.).

– Duhet që të ndërpresë/përfundojë udhëtimin e ditës të paktën një orë para perëndimit astronomik të diellit nëse i duhet të organizojë ngritjen e kampingut dhe jo më vonë se me perëndimin astronomik të diellit nëse kampingu është i ngritur.

Kujdes!

– Të jeni të pajisur mirë, si në dimër dhe në verë, në përputhje me normativat për materiain teknik dhe për veshmbathje. Mos harroni litarët, kazmën dhe kthetrat kur ndërmerrni itenerarë të vështirë.

– Mbi akull të mbuluar nga bora është i detyruar përdorimi i litarit.

– Në të gjithat rastet kur rrugëtimi është me rrezik sigurimi duhet të bëhet me çdo kusht.

– Mbivlerësimi i njhurive dhe aftësive për ngjitje të çon në aventurë.

– Mos u ngjitni në shkëmb pa skicuar në mendje dhe mundësisht në letër rrugëtimin që do të ndiqni; një foto e rrugëtimit e marrë me vehte është edhe më e mirë se sa një skicë.

– Alpinisti e ka rriskun e jetës me vehte dhe për këtë ai duhet të jetë i vetëdishëm.

– Mbani gjithnjë plenga e karabina rezervë për të bërë vetë-sigurimin

– Bora e re dhe e shkrifët është e paraprirë për të formuar ortek.  Ortekët bien në shpate të pjerrëta dhe në lugje që mbledhin borë.

P.S. Çdo sygjerim nga anëtarët e kësaj Federate (ekip/shoqatë) që ka mendime/sygjerime për përmirësimin e kësaj rregullore lutet që t’i dërgojë ato me shkrim pranë Sekretarit të saj.

 “Kujtese per Sigurimin Teknik ne Mal”
  • Mos u nis ne Mal vetem mer nje shok me pervoje
  • Te jeni te pajisur mire si ne Dimer dhe ne Vere
  • Mos haroni kurre litarin,kazmen,kthetrat
  • Para nisjes njoftoni klubin/shoqaten per itinerarin qe do ndiqni
  • Mbi akull dhe bore perdorimi i litarit eshte i detyrushem
  • Koha e keqe ne Mal eshte gjithnje e rezikshme kur bie bore dhe shi per disa dite
  • Hani dhe pini shpesh pa shkuar ne raskapitje,marja e ushqimeve dhe lengjeve eshte jetesore
  • Mos merni persiper kurre aventura duke mbivleresuar njohurite
  • Gjate Kacavjerjes studioni 10-15 m mbi itinerarin tuaj
  • Mos u mjaftoni me dy litare por mbani gjithnje gozhde rezerve,pyka shkalle, kapse
  • Mos nenvleftesoni sigurimin dhe vetesigurimin
  • Nisuni heret drejt malit apo shkembit dhe kthehuni heret
  • Mos haroni te keni bere sigurimin e jetes